Tuesday, January 15, 2013

AKSH “Do të hyjmë në luftë me Serbinë”

aksh -Armata Kombëtare Shqiptare është shfaqur sërish, tani në Vushtrri. Ajo ka shpallur mobilizim të anëtarëve të vet, të nxitur, siç kanë thënë anëtarët e Shtabit të AKSH-së për Kosovë, “nga kërcënimet serbe se do ta ndajnë një pjesë të territorit të Kosovës dhe kërcënimeve për ta larguar me forcë lapidarin e UÇPMB-së në Preshevë”. Në një takim që është mbajtur më 9 janar 2013, në Vushtrri, Shtabi i AKSH-së, zona nr. 2, Kosovë, ka marrë vendim për mobilizimin e të gjithë eprorëve dhe pjesëtarëve të vet. Në vendim, thuhet ndër të tjera, “se AKSH, Njësia Speciale “Kobra”, duke parë gjendjen e tensionuar në Luginën e Preshevës dhe në veriun e Republikës së Kosovës, të shkaktuar nga Serbia fashizoide, mori vendim të prerë, që nga data 10 janar 2013, të shpallë mobilizimin e të gjithë pjesëtarëve të Armatës Kombëtare Shqiptare. Pjesëtarët e AKSH-së duhet të jenë të gatshëm dhe të përgatitur për t’i mbrojtur shqiptarët në trojet e tyre etnike, në mënyrë që çizmja e zezë e shkaut të mos shkelë kurrë në trojet shqiptare”. Vendimin e ka nënshkruar shefi i shtabit, kolonel “Kaçaku” si dhe komandanti i Njësisë Speciale “Kobra”, me gradën gjeneral. Ndërkaq, në një deklaratë, e cila gazetës Zëri i ka arritur nëpërmes postës elektronike, kolenel Kaçaku ka thënë se AKSH-ja do t’i mbrojë shqiptarët kudo që kërcënohen nga politika fashizoide serbe dhe se në asnjë pëllëmbë të tokës shqiptare nuk do të shkelë më çizmja serbe.