Thursday, January 24, 2013

103-vjeçarja që sfidon kohën


Ka mbushur 103 vjet, dhe fiziku e mbamendja e saj ende ruajnë freskinë e një moshe më të re. Fata Tahiraj nga Arrllati i Drenasit, është stërgjyshe me pasardhës prej 76 anëtarëve që përbëjnë familjen e saj. Kjo grua, pretendon t’ua kalojë me moshë gjithë grave tjera që jetuan mbi të 100-at,shkruan zeri.
Thotë se aq sa ka jetuar do të donte të jetonte ende, pavarësisht se deri në këtë moshë përjetoi shumë luftëra, gjatë të cilave humbi dhe anëtarë të familjes përfshirë dhe bashkëshortin. Shaminë që ka vënë në kokë herë pas here kujdeset ta mbajë mirë duke çuar dorën sipër saj që ta kontrollojë nëse e ka aty ku e ka vënë në mëngjes. Stërgjyshe Fata, përkundër të gjitha ngjarjeve të “trishta” që e përcollën gjatë jetës së saj, në memorien e saj ka ruajtur edhe çastet e lumtura. Martesa e saj e bërë para më shumë se 80 vjetësh, nuk i ngjason me të sotmen.
Tani thotë se nusja arrin të gëzohet në dasmën e saj, të shoh dasmorët, të vallëzojë dhe të përjetojë ditën më të lumtur, përderisa ditën e martesës së saj dhe gjeneratës së atëhershme më shumë e përshkruan si një “mort”, ku vajza këndohej më shumë për ato që do të hiqte te burri sesa do të priste çaste të lumtura.